njoftime

“University Law Competition”, Departamenti i Drejtësisë në Universitetin e Vlorës fitoi Vendin e 1

Studentët e Departamentit të Drejtësisë: Bianka Kananaj, Altea Hoxhaj dhe Kiara Karabinaj nën udhëheqjen e profesores Prof. Asoc. Jonida Mehmetaj shpallen Fitues në gjyqin simulues.

“University Law Competition”, është një konkurs televiziv i Halimi Foundation Institute dhe do të transmetohet nga A2 CNN përgjatë muajit gusht. Konkursi ishte i organizuar në 4 raunde: faza eliminatore, faza çerekfinale, faza gjysmëfinale, dhe faza finale me një pjesëmarrje prej 16 universitetesh publike dhe private nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në këtë gjyq simulues, u zhvilluan 8 seanca që vendoste përballë dy Universitete sipas një shorti të ndarë paraprakisht. Anëtarët e jurisë janë gjyqtarë me një eksperiencë shumë vjeçare dhe profesorë të së drejtës. Seancat u vlerësuan dhe gjykuan nga: Gjyqtari Gerd Hoxha (zëvendëskryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (Dhoma Penale)), Gjyqtari Bekim Mehmedi (Kryetar i Gjykatës së Apelit në Gostivar), Prof. Dr. Fejzulla Berisha (profesor në Universitetin Kadri Zeka në Gjilan) dhe Znj. Aulona Bodo (Këshilltare ligjore e Presidentit të Gjykatës së Lartë)

 

Raundi 1. Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë përballë Kolegjit Universitar të Biznesit.

Studentët e Departamentit të Drejtësise në UV ishin në rolin e mbrojtësit në çështjen civile për trashëgiminë testamentare dhe me sukses arritën të fitonin raundin e parë.

Rauni 2. Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë përballë Universitetit Shtetëror të Tetovës

Raundi i dytë i konkursit trajtoi një çështjeje delikate dhe me ngarkesë të lartë emocionale, procedurat e birësimit të plotë sipas ligjit maqedonas. Përballja e studentëve tanë këtë herë ishte me Universitetin Shtetëror të Tetovës, një ekip i përgatitur dhe me një strategji të fortë argumentimi, çka e bëri seancën një ndër më sfidueset dhe më tërheqëset e gjithë garës. Tema trajtonte balancën midis interesit më të lartë të fëmijës dhe të drejtës së prindërve biologjikë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin e ndërhyrjes së shtetit në të drejtat familjare.

Raundi 3. Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë përballë Universitetit Epoka

Ne raundin e tretë të zhvilluar mes Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit Epoka, studentët përfaqësues të universitetit tonë morën rolin e palës mbrojtëse, duke përfaqësuar Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Ministrave. Çështja në shqyrtim kishte të bënte me ndërtimin e një kompleksi turistik në qytetin e Beratit, një zonë e mbrojtur nga UNESCO, dhe debatet u përqendruan rreth balancimit mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Pas një përballjeje të fortë argumentesh dhe analizash juridike, fitues i këtij raundi u shpall Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë.

Raundi 4. Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë përballë Universitetit “Luarasi”

Finalja e madhe midis Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit “Luarasi” Tiranë, me temë çështjen penale mbi procedurat e ekstradimit. Në këtë përballje akademike, studentët treguan njohuri të thelluara juridike dhe aftësi të shkëlqyera argumentuese. Raundi final ishte jashtëzakonisht i fortë dhe sfidues, ku të dy ekipet dhanë maksimumin. Pas një gare të ngushtë dhe profesionale, fitues u shpall Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, duke dëshmuar përgatitje të lartë dhe përkushtim të veçantë.

Vendi i parë do ti vlerësojë studentët më shpërblim monetar, vizitë studimore në Strasburg dhe praktike pune.