njoftime

KONFERENCA E 1-RË NDËRKOMBËTARE SHKENCORE “EPIDEMIA E HESHTUR E SËMUNDJEVE JO TË TRANSMETUESHME – QASJE INOVATIVE DHE MULTIDISIPLINARE PËR PARANDALIMIN DHE MENAXHIMIN”

Në datën 31 maj 2025, në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë u zhvillua me sukses Konferenca e 1-rë Ndërkombëtare Shkencore me temë: “Epidemia e heshtur e sëmundjeve jo të transmetueshme: qasje inovative dhe multidisiplinare për parandalimin dhe menaxhimin” (“The Silent Epidemic of Non-Communicable Diseases: Innovative & Multidisciplinary Approaches for Prevention & Management” – 1st INTERCON-SE-NCDs-I-MAP).

Konferenca u organizua nga Departamenti i Kujdesit Shëndetësor dhe Qendra Kërkimore Shkencore për Shëndetin Publik pranë Fakultetit të Shëndetit në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, nën drejtimin e Prof.Asoc Rezarta Lalo dhe Prof.Asoc Fatjona Kamberi në cilësinë e Koordinatoreve Shkencore dhe Organizative të këtij evenimenti shkencor.

Qëllimi i kësaj konference ishte të krijonte një platformë ndërdisiplinare për shkëmbimin e njohurive, qasjeve inovative dhe praktikave më të mira në përballimin e sfidave që paraqesin sëmundjet kronike jo të transmetueshme – një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik në nivel global dhe kombëtar.

Në konferencë morën pjesë:
– Mjekë dhe profesionistë të kujdesit shëndetësor primar dhe spitalor
– Fizioterapistë, farmacistë, stomatologë dhe nutricionistë
– Akademikë dhe studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Spanja, Italia, Greqia, Turqia
– Përfaqësues dhe drejtues të institucioneve shëndetësore publike dhe joqeveritare
– Studentë të programeve të shkencave të shëndetit dhe studimeve ndërdisiplinare
– Dekanë, pedagogë të Fakulteteve të tjera të Universitetit të Vlorës dhe anëtarë të Senatit Akademik të UV si të ftuar të nderit.

Konferenca nisi me fjalën e hapjes nga Prof. Asoc. Rezarta Lalo, moderatore e konferencës dhe njëkohësisht organizatore e saj, e cila theksoi rëndësinë e organizimit të një evenimenti të tillë shkencor me fokus nxitjen e dialogut ndërdisiplinor për ndarjen e përvojave, prezantimin e kërkimeve inovative dhe diskutimin e politikave dhe strategjive që mund të ndryshojnë rrjedhën e kësaj epidemie të heshtur. Ajo falenderoi gjithashtu të gjithë bashkëpunëtorët dhe aktorët e rëndësishëm të shëndetit publik të pranishëm në sallë.

Rektori i Universitetit të Vlorës Prof. Dr. Aurela Saliaj, Zv/ Rektore e Kërkimit Shkencor Prof. Asoc Frosina Londo dhe Dekani i Fakultetit të Shëndetit Prof. Asoc. Enkelejd Mëhilli, në fjalën e tyre përshëndetëse vlerësuan se aktivitete të tilla shkencore shërbejnë për rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimit të praktikave të reja në menaxhimin e sëmundjeve jo të
transmetueshme si dhe rolin e Universitetit të Vlorës si një aktor aktiv në zhvillimin social, kulturor dhe shëndetësor të komunitetit tonë.

Eventi u përshëndet edhe nga Bashkia Vlorë, me përfaqësinë e Znj. Irena Toshkallari, Nën Kryetare e Bashkisë, Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik, Tiranë Znj Eugena Tomini dhe autoritete të tjera partnere, të cilët theksuan rëndësinë e këtij eventi me impakt të drejtpërdrejtë në shëndetin publik.

Në këtë ceremoni u prezantuan profilet profesionale të profesionistëve të shëndetit nga shërbimet spitalore dhe parësore të Vlorës, komunave përreth, Spitalit Rajonal dhe Spitalit Memorial Fier si edhe përfaqësues nga Kosova për kontributin në kujdesin shëndetësor në edukimin e brezave të ardhshëm si bashkëpunëtorë të Fakultetit të Shëndetit, të cilët u nderuan edhe me Çertifikatë Mirënjohje të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Vlorës. Kjo seancë u moderua nga studentet e Programit Master Shkencor të Fakultetit të Shëndetit, Entela Haxhillari, Daniela Kungulli, Aulona Bejo, të cilat u angazhuan në organizimin e konferencës.

Një sesion i veçantë që vijoi prezantimin e profileve të profesionistëve ishte pjesëmarrja e 4 prej tyre në një panel diskutimi, të cilet ndanë sfidat, nevojat dhe përvojat e tyre konkrete nga praktika e përditshme në sistemin e kujdesit shëndetësor.

Sesioni i lektorëve kyç, që u moderua nga Prof.Asoc Fatjona Kamberi, pas prezantimeve shkencore nga pjesëmarrës vendas dhe të huaj vijoi me diskutime interaktive dhe reflektime për strategjitë dhe qasjet e integruara në përballimin e sëmundjeve kronike jo të transmetueshme.

Konferenca vijoi me dy sesione paralele që trajtuan tematika si: epidemiologjia e sëmundjeve jo të transmetueshme, menaxhimi me bazë komunitare, përdorimi i teknologjisë në monitorim dhe parandalim, ndikimi i stilit të jetesës, sfidat e sistemit shëndetësor etj.
Pjesëmarrësit patën mundësi të njihen me iniciativat e reja kërkimore, botime, projekte të aplikuara dhe materiale ndërgjegjësuese të përgatitura nga aktorë të ndryshëm.
Konferenca u mbyll me ndarjen e çertifikatave të pjesëmarrjes dhe falënderime për të gjithë kontribuesit.

Ky aktivitet përfaqëson një model të suksesshëm të ndërthurjes së edukimit arsimor, kërkimit shkencor dhe praktikës shëndetësore, duke krijuar ura të forta bashkëpunimi mes disiplinave të ndryshme dhe institucioneve që veprojnë në fushën e shëndetit publik.